Disa këshilla të dobishme për kursim të suksesshëm

8.02.2022

Kursimi i mjeteve financiare është padyshim një nga investimet më të mëdha që mund të bëni në jetë për ju dhe të dashurit tuaj. Shprehia për të pasur kujdes se ku i shpenzoni paratë tuaja, sa janë shpenzimet tuaja të rregullta dhe sa mund të kurseni është shumë e rëndësishme dhe vendimtare në mënyrë që të planifikoni shpenzimet tuaja dhe të menaxhoni financat tuaja në mënyrë efikase.

Përvetësimi i shprehive të mira që në moshë të re do ta bëjë më të lehtë për ju që të jetoni më vonë gjatë jetës dhe do t’ju lejojë të jeni më të përgjegjshëm dhe të jeni shembull për brezat e ardhshëm. Kursimi për blerje të mëdha është një mënyrë e shkëlqyer për të kuptuar dhe vlerësuar realisht vlerën e parave dhe punën e palodhur. Me disa ndryshime të thjeshta në prioritetet dhe rutinën tuaj të përditshme, mund të filloni të kurseni që sot dhe të përmirësoni gjendjen tuaj financiare.

Procesi i kursimit të parave mund të jetë i suksesshëm nëse kursehet në mënyrë të organizuar dhe të përgjegjshme. Nëse planifikoni të filloni të kurseni, duhet të keni parasysh se çdo fillim është i vështirë, por dëshira, durimi dhe këmbëngulja gjithmonë japin fryte.

Në vijim do t’ju tregojmë disa këshilla dhe rekomandime të mira se si të fitoni shprehi për kursim dhe garantim të sigurisë financiare.

1. Vendosni qëllime

Kini një qëllim të përcaktuar! Të shkoni me pushime, të blini makinë, të filloni biznesin tuaj ose të investoni në arsim të lartë për ju ose për fëmijët tuaj.

Kjo do t’jua lehtësojë procesin dhe do t’ju motivojë të keni shprehi të mira kursimi.

Nëse vendosni që kursimin ta realizoni nëpërmjet librezës së kursimeve me depozitë për një afat të caktuar, mund të fitoni një shumë të caktuar me pak rrezik. Sot, institucionet financiare ofrojnë lloje të ndryshme depozitash, nëpërmjet të cilave mund të arrini një akumulim të sigurt dhe të qëndrueshëm të parave.

Çdo denar që e keni kursyer, planifikojeni paraprakisht se për çfarë do ta investoni.

2. Mos blini në mënyrë impulsive

Përmbahuni nga blerja e artikujve të caktuar vetëm sepse janë me zbritje ose të disponueshme me një çmim të përballueshëm, që është një nga arsyet kryesore për shpenzime të pakontrolluara.

3. Kujdes me shpenzimet e vogla

Zakonisht më shumë shqetësohemi për shpenzimet e mëdha, kurse shpenzimet e vogla ditore shpesh kalojnë pa u vënë re. Ndoshta çdo ditë blejmë diçka që momentalisht na e tërheq vëmendjen, sepse është e përballueshme, por a kemi vërtet nevojë për të? Nëse doni të kurseni, duhet t’u kushtoni vëmendje këtyre shpenzimeve të paperceptueshme dhe t’i shkurtoni ato nga pak çdo ditë, sepse pikërisht nëpërmjet tyre shpesh mund të kursehet një shumë e konsiderueshme. Provojeni nga muaji vijues dhe do të habiteni se sa keni ndarë mënjanë nga të ardhurat tuaja mujore që mund t’i kurseni në llogarinë tuaj të kursimeve.

4. Shënojini të gjitha shpenzimet

Të gjithë dimë ndonjëherë të harrojmë se ku dhe për çfarë kemi shpenzuar një shumë të caktuar parash. Sigurisht që shpesh herë e keni pyetur veten se çfarë ka ndodhur me gjendjen e llogarisë, ndërsa ndonjëherë edhe pas shqyrtimit të certifikatës së llogarive bankare nuk mbani mend ndonjë shpenzim të caktuar. Prandaj, jini të disiplinuar, mbani mënjanë një fletore ku mund të bëni një prezantim të qartë dhe të shkruani atë që keni në dispozicion çdo ditë dhe ku saktësisht i shpenzoni paratë tuaja. Kështu, në fund të muajit do të keni një pasqyrë se çfarë pjese të buxhetit mund të ndani për të kursyer.

5. Metoda e përqindjes

Përpiquni të lini mënjanë një përqindje të caktuar të të gjitha të ardhurave tuaja për kursim, pavarësisht sa fitoni. Filloni me një sasi të vogël që nuk do të ndikojë në buxhetin tuaj ose cilësinë e jetës. Filloni për shembull me 2% dhe kaloni në një përqindje më të lartë. Kjo do t’ju ndihmojë të mos shpenzoni para për gjëra që nuk ju nevojiten dhe ta planifikoni buxhetin më me kujdes. Është akoma më mirë t’i vendosni paratë në një llogari kursimi, nëse nuk keni nevojë t’i shpenzoni menjëherë.

6.  Realizoni të ardhura shtesë

Përqendrohuni në realizimin e të ardhurave shtesë, nëse ju lejojnë mundësitë. Shumë njerëz sot zgjedhin punë me honorar ose me kohë të pjesshme. Nëse jeni specialist në një fushë të caktuar ose keni prirje për zanate të caktuara, një mënyrë e shkëlqyer për të fituar të ardhura shtesë është të filloni me freelencing, duke u ofruar shërbime nga profesioni juaj klientëve të shumtë në të njëjtën kohë. Sot, ka shumë platforma digjitale që ju lejojnë të kërkoni punë si freelancer, të punoni nga shtëpia nga disa orë në ditë dhe të fitoni të ardhura shtesë që mund t’i kurseni.

7. Jini të durueshëm dhe këmbëngulës

Çdo fillim është i vështirë, por durimi dhe këmbëngulja janë një nga parakushtet bazë për kursim të suksesshëm, veçanërisht nëse keni një qëllim, të cilin dëshironi të arrini.

8. Vendosni që të kurseni në ndonjë institucion financiar

Duke kursyer në institucion financiar, mjetet tuaja të depozituara do të rriten mesatarisht në varësi të normës së interesit. Në këtë mënyrë ju do të keni gjithmonë një vend të sigurt ku mund t’i vendosni paratë tuaja, t’i ruani derisa t’ju nevojiten, ndërsa shuma e depozitave me afat do të rritet për çdo muaj që kalon.

Pas mbarimit të afatit të depozitimit dhe nëse detyrimet e tjera jua lejojnë, depozitojeni të gjithë shumën bashkë me interesin e marrë. Me ndarjen e vazhdueshme dhe të rregullt të mjeteve financiare, qofshin ato edhe në vlera të vogla, për një periudhë të gjatë kohore, ju do të kurseni një shumë të madhe.

Informimi është zgjidhja më e mirë për marrjen e çdo vendimi, ndaj para se të zgjidhni ndonjë produkt financiar për kursim, bëni një hulumtim të mirë për ofertën e institucioneve se çfarë kushtesh për kursim ofron secili. Pyesni në detaje për llojet e kursimeve, kushtet, normën e interesit (fikse ose të ndryshueshme) dhe në çfarë mënyre llogaritet, afatet kohore të depozitimit, në cilat kushte mund t’i tërhiqni mjetet financiare tashmë të depozituara në një afat të caktuar ose ta tërhiqni depozitën para kohe. Shuma e normës së interesit varet nga lloji i valutës së depozitës dhe afati i depozitimit, kështu që ju mund të zgjidhni një produkt që do t’ju bindë se kursimet do t’ju sjellin të ardhura më të larta nga interesi.

Zgjidhni ofertën më optimale

Duke ju ofruar lloje të ndryshme të produkteve të kursimit, plotësisht të orientuara sipas nevojave tuaja, Kursimorja Mozhnosti përpiqet të jetë një partner i besueshëm, me qëllim që të mbështetë nevojat dhe pritshmëritë tuaja personale për realizimin e dëshirave tuaja dhe arritjet maksimale në jetë. Zgjidhni llojin e produktit që ju përshtatet më shumë, depozitë me të parë, depozitë me afat ose depozitë flexi, llogarisni kursimet tuaja të ardhshme dhe filloni menjëherë me investimin tuaj më të mirë.

Për më shumë informacion në lidhje me kushtet dhe mënyrat e kursimit, kalkulatorët e llogaritjes dhe për më shumë edukim financiar, shikoni në lidhjet e mëposhtme:

Depozita në denarë – https://bit.ly/3J2VlrQ

Depozita Flexi – https://bit.ly/3rnVTka

Kalkulatori i kursimit – https://bit.ly/3rsnMaA