5 gjëra që duhet të dini kur aplikoni për kredi konsumatore

15.07.2021

  1. Kërkoni formular për informacione parakontraktimi  

Me formularin e informacioneve për parakontraktim do të keni një pasqyrë të detajuar të detyrimeve të kontraktuara para se të lidhet kontrata përfundimtare për kredi. Ju do të merrni një pasqyrë të plotë të borxhit, me të gjithë elementët përbërës të tij, do ta kuptoni më mirë të gjithë llogaritjen dhe do të shihni detyrimet totale në bazë të kredisë, në mënyrë që të mund të merrni një vendim përfundimtar në lidhje me obligimet e ardhshme të kredisë.

Informatat kryesore që përmbahet në formularin e informacionit parakontraktues:

  • të dhëna dhe informacione për produktin e kredisë;
  • kushtet për shfrytëzimin e kredisë;
  • shuma dhe valuta në të cilën shprehet kredia dhe kursi i këmbimit, nëse është i aplikueshëm;
  • lloji i kolateralit për kredi (nëse ka kolateral);
  • norma e shpenzimeve totale (NSHT);
  • norma e interesit interkalar dhe shpenzimet e tjera;
  • shuma totale që e kthen klienti,
  • norma e interesit në rast të pagesës së vonuar (norma e interesit të gjobës)
  • Kërkoni simulim të planit të amortizimit (simulimi i pagimit të kredisë)

Përveç formularit të informacionit parakontraktues, ju do të merrni dhe simulim të planit të amortizimit, d.m.th. simulim për pagimin e ardhshëm të detyrimeve të kredisë, i cili tregon në detaje dinamikën e pagimit të kësteve, në të cilën jepet kryegjëja/principali dhe interesi.

Në këtë mënyrë, me këto dy dokumente, paraprakisht, do të keni një pasqyrë të detyrimeve tuaja dhe për pasojë do të planifikoni shlyerjen në kohë, përmes planifikimit të duhur të shpenzimit të të ardhurave të ardhshme.

3. Informohuni në detaje për të gjitha shpenzimet e kredisë

Segment i veçantë i informacioneve parakontraktuese i kushtohet shpenzimeve të kredisë. Në këtë pjesë përmenden:

  • lloji dhe lartësia e normës së interesit që do të zbatohet (e shprehur në % në bazë vjetore), si dhe
  • shpenzime të tjera që paguhen për miratimin e kredisë dhe dalin nga kontrata e kredisë.

Lloji i normës së interesit, fiks ose i ndryshueshëm

Ju duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë llojit të normës së interesit që do të zbatohet.

Norma e interesit mund të jetë fikse ose e ndryshueshme.

Norma fikse e interesit është një normë interesi e paracaktuar që nuk ndryshon për periudhën e shlyerjes së kredisë.

Norma e ndryshueshme e interesit është një normë interesi që mund të ndryshohet në një nivel më të lartë ose më të ulët. Ajo merret si shumë e indeksit të tregut ose normës së referencës dhe marzhit të interesit.

Norma e interesit interkalar

Për më tepër, klientët duhet të dinë se çfarë është norma e interesit interkalar. Interesi interkalar është interesi që llogaritet nga dita e përdorimit të fondeve të kredisë deri në ditën e fillimit të pagimit të kredisë, me një normë interesi të barabartë me normën e interesit të kredisë. Kjo normë llogaritet nga momenti i pagesës deri në shlyerjen e këstit të parë të kredisë. Kështu, për shembull, nëse merrni kredi më 20 qershor dhe duhet të paguani këstin e parë më 1 gusht, atëherë interesi në periudhën interkalare do të llogaritet deri më 1 gusht. Nëse kredia merret me kushte për grejs – periudhë (periudhë mospagimi) prej 6 muajsh, për kohëzgjatjen e grejs-periudhës, interesi interkalar llogaritet dhe paguhet në lartësinë e normës së interesit të kredisë.

Norma e shpenzimeve totale(NSHТ)

 Në kuadër të formularit të informacioneve parakontraktuese, gjithashtu, ka informacion mbi shpenzimet totale të kredisë, që nënkupton jo vetëm normën e interesit, por edhe shpenzimet shtesë të miratimit të kredisë, të cilat janë pjesë e normës së shpenzimeve totale (NSHT).

NSHT-ja është normë skontimi e shprehur në bazë vjetore si raport i shpenzimeve totale të kredisë dhe shumës totale të kredisë (shprehur me dy shifra dhjetore).

Nëse janë parashikuar në kontratën për kredi konsumatore, në këtë normë mund të përfshihen llojet e mëposhtme të shpenzimeve:

  • provizion për përpunimin e kërkesës për kredi;
  • provizion për aprovimin e kredisë dhe për administrimin e kredisë;
  • provizion për ruajtjen e instrumentit të sigurisë;
  • provizione dhe tarifa në lidhje me shërbime të detyrueshme shtesë në lidhje me kredinë e konsumatorit, etj.

Në llogaritjen e NSHT-së, NUK përfshihen:

  • shpenzimet për mos përmbushje ose vonesa në përmbushjen e detyrimeve nga kontrata e kredisë konsumatore;
  • shpenzime të sigurimit ose të garancisë;
  • shpenzimet e noterisë;
  • shpenzimet shtesë që nuk janë të njohura për kursimoren, kurse ajo është ende e detyruar ta informojë klientin për llojin e shpenzimeve, pa e përmendur shumën.

4. Kur dhe si llogaritet interesi i gjobës

Duhet të dini se, nëse nuk i paguani detyrimet në kohë, do të bini në borxhe dhe në këtë rast do t’ju llogaritet interes shtesë për pagesa të vonuara.

Interesi i gjobës, ose i njohur më mirë si interes për mospagim, është interes që paguhet përveç interesit të rregullt, nëse nuk e paguani kryegjënë/principalin në datën e caktuar, d.m.th. nëse vononi të përmbushni detyrimet tuaja në bazë të borxhit. Interesi i gjobës është një detyrim për të kompensuar dëmin që debitori i shkakton kreditorit, duke mos e shlyer borxhin në kohën e rënë dakord dhe të përcaktuar të shlyerjes së kredisë.

5.  Të drejta të tjera

Përveç kësaj, si shfrytëzues i kredisë konsumatore, ju keni të drejtat e mëposhtme:

  • të drejtën për ta anuluar kontratën e kredisë konsumatore, brenda një periudhe të caktuar;
  • të drejtën për shlyerjen e parakohshme të plotë ose të pjesshme të kredisë;
  • nëse pas dorëzimit të kërkesës për kredi, aplikimi refuzohet për shkak të informacioneve që janë marrë nga bazat e të dhënave, e drejta, që kursimorja t’ju informojë menjëherë dhe falas për këto informacione dhe për mënyrën se si i ka  marrë ato;
  • e drejta për kopje falas të projekt – kontratës së kredisë konsumatore.

Scroll Up